Autori Tema: LËVIZJA KOMBËTARE SHQIPTARE NË VITET 30-70 (VAZHDIMI)  (Lexuar 2517 herë)

0 Anëtare dhe 1 Vizitor po shikojne kete teme.

Jashtë Linjë valmoo

  • V.I.P ne Nastradini.com
  • *****
  • Postime: 4651
  • Popullariteti: 37
  • ..
LËVIZJA KOMBËTARE SHQIPTARE NË VITET 30-70 (VAZHDIMI)
« Me: Korrik 16, 2008, 02:35:06 PD »
3. IDEOLOGËT E PARË TË LËVIZJES KOMBËTARE

Krahas dukurive të reja politike e shoqërore të kryengritjeve kundërosmane të viteve 30-40, ku spikatën kërkesat për trajtimin e veçantë të Shqipërisë dhe për administrimin e saj nga njerëzit e vendit, lindi dhe u zhvillua në Shqipëri edhe ideologjia kombëtare. Shprehësit e parë më të shquar të ideve të reja u bënë Naum Veqilharxhi dhe Jeronim de Rada.

Naum Veqilharxhi dhe veprimtaria e tij në vitet 40
Naum Veqilharxhi (1797-1854) lindi në Vithkuq (rrethi i Korçës), që ishte një qytezë me zeje e tregti të zhvilluar dhe me një popullsi arsimdashëse. Që në moshë të re, para vitit 1806, ai shkoi në Vllahi, ku kishte një koloni të rëndësishme shqiptarësh. Më 1821 Naumi, bashkë me shqiptarë të tjerë, mori pjesë në kryengritjen e madhe popullore që shpërtheu në Vllahi kundër sundimit osman nën udhëheqjen e Tudor Vladimireskut.
Lufta që zhvilloi kundër sundimit osman në dhe të huaj ia shtoi dashurinë për vendlindjen. Duke punuar si avokat në Brailë të Rumanisë, ai u njoh me idetë përparimtare dhe u formua si iluminist. Këtu ai iu kushtua me mish e me shpirt çështjes së çlirimit kombëtar të atdheut të vet, Shqipërisë.
Naumi, i cili edhe në dokumentet vetjake në mërgim e cilësonte veten me kombësi shqiptare, kishte besim të patundur të populli shqiptar, në aftësitë e tij për t’u ndriçuar e për t’u çliruar dhe në të ardhmen e tij më të mirë. Ky besim buronte jo vetëm nga patriotizmi i flaktë dhe nga përvoja e njohuritë filozofike e historike që kishte fituar, por edhe nga realiteti i Shqipërisë, ku kryengritjet çlirimtare kundër sundimit osman pasonin njëra-tjetrën nga jugu në veri.
Si iluminist Naumi arriti në përfundimin se popullit shqiptar, të zhytur në padije, i duhej patjetër arsimimi në gjuhën amtare si mjet për ngritjen e ndërgjegjes dhe përparimin shpirtëror e material të tij, se pa zhvillim kulturor nuk mund të kishte çlirim politik të popullit. “Ka ardhur koha, - shkruante ai më 1846, - që t’i flakim të gjitha paragjykimet e vjetruara, ka ardhur koha që të mendohemi më me pjekuri dhe më me guxim të këmbejmë udhë, duke marrë këtej e tutje si shembull kombet e përparuara mbi tokë... Dhe duke synuar këtu, le të ecim pa u lëkundur, me guxim, me durim dhe me këmbëngulje”.
Nevoja për masa të frytshme e konkrete në fushën e arsimit në gjuhën shqipe ishte bërë veçanërisht e theksuar në vitet 40, me shtimin e numrit të shkollave të huaja që filluan të hapeshin në Shqipëri.
Naum Veqilharxhi u bë shprehës i atyre rretheve atdhetare shqiptare, brenda e jashtë vendit, të cilat e kuptuan rrezikun e madh që paraqisnin shkollat e huaja për bashkimin e popullit shqiptar dhe për çlirimin e tij kombëtar dhe që e ndien nevojën e ngutshme për të përhapur arsimin në gjuhën amtare. Prandaj ai kërkonte një shkollë të re, shqipe nga gjuha, racionaliste nga përmbajtja dhe masive nga shtrirja. Në kushtet e Shqipërisë së prapambetur rruga drejt këtij arsimi do të fillonte nga abetarja dhe për ta hartuar atë duhej përgatitur alfabeti shqip. Alfabetet latine, greke ose arabe, që ishin përdorur deri atëherë për shkrimin e shqipes, pa ndonjë përshtatje të veçantë, jo vetëm nuk jepnin plotësisht të gjithë tingujt e saj, por kishin marrë edhe ngjyrë fetare e ishin bërë përçuese ndikimesh politike të huaja. Naum Veqilharxhi mendonte se shqiptarët si komb i veçantë, me gjuhë të veçantë, duhej të kishin edhe alfabetin e tyre.
Me alfabetin e ri që sajoi qysh në vitet 20, duke huajtur edhe elemente nga alfabetet e tjera, ai kishte hartuar disa tekste; por këto, siç duket, për vështirësi teknike e mungesë mjetesh mbetën për dy dhjetëvjeçarë të pabotuara. Më 1844 Naum Veqilharxhi botoi në Rumani “Evetarin” e tij, një abetare e vogël e poligrafuar, e cila është abetarja e parë e gjuhës shqipe. Abetarja u shpërnda në krahinat jugore të Shqipërisë, në Korçë, në Përmet, në Berat, në Gjirokastër etj. Megjithëse alfabeti ishte i vështirë për t’u përvetësuar, abetarja ngjalli entuziazmin e bashkatdhetarëve. Në një letër, që i drejtohej autorit nga Korça më 22 prill 1845, e njoftonin se abetaret i kishin marrë “... me gëzim të madh dhe me kënaqësi”. Letra i bënte të ditur se paria e Korçës kishte vendosur të fillonte një fushatë për të ndihmuar Naum Veqilharxhin të blinte një shtypshkronjë dhe të hapte shkolla shqipe. “Mjaft për kaq kohë nën zgjedhën e paditurisë, - shkruanin patriotët korçarë. - Të shpresojmë se brenda një kohë të shkurtër arsimi do të shtrihet në mbarë atdheun tonë dhe në mbarë kombin tonë... Na dërgoni sa më shumë evetore, sepse bashkatdhetarët po kërkojnë pareshtur të gjejnë akoma nga kjo abetare”. Kjo pritje e ngrohtë e këto fjalë tregonin se nisma e Naum Veqilharxhit shprehte aspiratat e një shtrese të gjerë shoqërore brenda vendit, që ndiente nevojën për t’u arsimuar në gjuhën amtare si kusht i rëndësishëm për të çarë errësirën mesjetare dhe për t’i hapur atdheut rrugën e përparimit.
Për t’iu përgjigjur kërkesës së patriotëve korçarë, më 1845 Naum Veqilharxhi botoi një abetare të dytë me titull “Fare i ri evetar shqip”, shumë më të plotë se e para dhe me një parathënie të gjerë. Në këtë abetare Naumi bënte përpjekje serioze për ta vënë mësimin e shqipes mbi baza shkencore; ai e pasuroi gjuhën shqipe me një varg fjalësh e termash të kulturës e të shkencës. Abetaret e Naum Veqilharxhit luajtën një rol të rëndësishëm në Rilindjen Shqiptare, hodhën hapat e parë të arsimit në gjuhën shqipe.
Pas botimit të abetares së dytë Naum Veqilharxhi, me sa duket, u përpoq të krijonte një shoqëri kulturore shqiptare, e cila do të merrej me botimin në Rumani të librave në gjuhën amtare dhe me dërgimin e tyre në Shqipëri.
Naum Veqilharxhi ishte një mendimtar i shquar iluminist dhe hyri në histori edhe si ideologu i parë i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Idetë e tij ai i shprehu në “Qarkoren”, hartuar në gjuhën greke, që u drejtoi nga Rumania, rreth mesit të viteve 40, bashkatdhetarëve ortodoksë në Shqipëri, në letrën e gjatë polemizuese dërguar nipit të vet, që i quante përpjekjet e të ungjit për çështjen shqiptare “himera” dhe në parathënien e abetares së vitit 1845. Këto janë dokumentet e para ideologjike e programatike të njohura deri më sot të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, të hartuara nga një përfaqësues i intelektualëve atdhetarë shqiptarë.
Naum Veqilharxhi nisej nga koncepti dialektik se, si në natyrë, ashtu edhe në shoqëri vepron ligji i zhvillimit, se në bazë të këtij ligji kalohet nga më e ulëta në më të lartën, nga e vjetra në të renë. “Asnjë komb nuk ka rënë nga qielli”, “...shoqëria, bashkëpunimi e ka bërë njerinë”. Fjalët e rënda që mund të thuheshin për shqiptarët, shkruante ai, “tregojnë një gjendje që shkëmbehet e nuk mbetet përjetë. Vetëm kafshët e kanë të përcaktuar fatin nga natyra. Njeriu zhvillohet nga të voglat duke përparuar”.
Në gjykimin e gjërave Naum Veqilharxhi vinte arsyen, të cilën, në kundërshtim me dogmatizmin mesjetar, e quante një mjet shumë të rëndësishëm që e ndante njeriun nga bota e kafshëve dhe e bënte zotin e të fshehtave të gjithësisë.
Sipas këtyre koncepteve filozofike Naumi trajtoi edhe çështjen shqiptare, historinë e kombit të vet dhe detyrat që qëndronin përpara vendit. Kombi shqiptar, theksonte ai, është krijuar në të njëjtën kohë me kombet e tjera, zë një vend të caktuar në tokë, ka karakter të veçantë, gjuhë e zakone të veçanta, shekujt e tij mitologjikë, heroikë, politikë e fetarë dhe ruan në gjirin e tij një thesar të madh kulturor. Të ndihmoje këtë komb të fitonte ndërgjegjen dhe të zhvillohej Naum Veqilharxhi e quante “një borxh ndaj vendlermit” (vendlindjes).
Shakun kryesor të gjendjes së mjeruar në të cilën ndodhej populli shqiptar ai e shihte të “pushtimet e shpeshta”, të “përmbysjet e gjithanshme”, të “ndryshimet politike”, të “dogmat fetare”, të “padija” dhe sidomos të “lënia pas dore e gjuhës sonë kombëtare dhe zëvendësimi i saj me një gjuhë të huaj...”. Faktor vendimtar për nxjerrjen e vendit nga kjo gjendje, Naum Veqilharxhi, si iluminist, quante përhapjen e arsimit e të kulturës në gjuhën amtare. “Ato kombe që mbetën në padije, - shkruante ai, - u shëmbëllejnë thjesht skllevërve...”, këto kombe “...vetëm atëherë mund të dalin nga gjendja e turpshme e mjerimit të tyre kur do të fillojnë të lëvrojnë gjuhën e tyre kombëtare...”.
Me këtë bindje dhe i ndërgjegjshëm për rrezikun që i vinte atdheut nga arsimi në gjuhë të huaj, Naum Veqilharxhi i ftonte bashkatdhetarët e tij të përhapnin arsimin dhe kulturën në gjuhën amtare. Ai u jepte zemër bashkatdhetarëve dhe i këshillonte të mos dëshpëroheshin nga gjendja e vajtueshme në të cilën ndodhej vendi i tyre. “Le të hedhim farën e mirë, - shkruante ai, - dhe me siguri vetë natyra e shenjtë e ngjarjeve do të ndihmojë për gjallërimin, mbirjen dhe rritjen e saj, pemët e bukura dhe shumë të ëmbla të së cilës do t’i korrë padyshim brezi i ardhmë...”.
Naum Veqilharxhi kërkonte që shkolla shqipe të ishte jo vetëm për të pasurit, por edhe për të varfrit dhe interesi i atdheut të vihej mbi interesin vetjak. Por ai nuk e prekte, veçse në mënyrë të papërcaktuar, çështjen e qëndrimit ndaj qeverisë osmane. Megjithëse kryengritjet çlirimtare në Shqipëri kishin paraqitur kërkesën e vetëqeverisjes së vendit, Naumi, me sa duket, mendonte që më parë duheshin shfrytëzuar kushtet e krijuara formalisht nga dekreti i Tanzimatit për të zhvilluar një veprimtari energjike në fushën e arsimit e të kulturës në gjuhën amtare, derisa të rritej ndërgjegjja kombëtare e të arrihej bashkimi i popullit në atë shkallë që të lejonte shtrimin e çështjes së marrëdhënieve politike me Turqinë.

Jashtë Linjë valmoo

  • V.I.P ne Nastradini.com
  • *****
  • Postime: 4651
  • Popullariteti: 37
  • ..
LËVIZJA KOMBËTARE SHQIPTARE NË VITET 30-70 (VAZHDIMI)
« Pergjigju #1 Me: Korrik 16, 2008, 02:35:42 PD »
Lëvizja e arbëreshëve të Italisë në përkrahje të çështjes kombëtare në vitet 30-40
Në kohën kur Naum Veqilharxhi zhvillonte veprimtarinë e vet në Rumani dhe krijonte lidhje me disa qendra të Shqipërisë së Jugut, në kolonitë arbëreshe të Kalabrisë dhe të Sicilisë në Itali filluan të dukeshin shenjat e para të një lëvizjeje në përkrahje të çështjes kombëtare shqiptare. Ngjarjet që po zhvilloheshin në këtë kohë në Shqipëri, kryengritjet e njëpasnjëshme, përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë për arsimin dhe kulturën kombëtare tërhoqën vëmendjen e një vargu intelektualësh të dalë nga gjiri i kolonive arbëreshe. Arbëreshët nuk e kishin harruar vendin e të parëve dhe i ruanin të gjalla, veçanërisht në folklorin e tyre të pasur, traditat e mëdha të luftës për liri, si dhe gjuhën e doket që kishin marrë nga mëmëdheu.
Të nxitur nga dashuria për atdheun e të parëve dhe nën ndikimin e interesit që shfaqte në gjysmën e parë të shek. XIX shkenca gjuhësore evropiane për gjuhën shqipe, intelektualët arbëreshë filluan të merreshin me studimin e historisë, të folklorit dhe të gjuhës së këtyre kolonive, si dhe në përgjithësi me historinë e mëmëdheut të tyre të dikurshëm. Në kohën kur filluan të bëheshin hapat e parë të gjuhësisë krahasuese dhe u zbuluan lidhjet gjenealogjike të një vargu gjuhësh, studiuesi arbëresh Engjëll Mashi në vitet e para të shek. XIX dhe Josif Krispi e Gjon Skiroj në vitet 30 hodhën tezën e prejardhjes së popullit shqiptar nga pellazgët e të gjuhës së tij nga pellazgjishtja, gjuhë që mendohej se ishte folur nga banorët më të lashtë të Ballkanit e të Mesdheut. Teza e prejardhjes pellazgjike, si shprehje e lashtësisë së popullit shqiptar, zuri vend e u përhap shumë në qarqet shkencore dhe në opinionin e gjerë.
Po në këtë kohë filloi veprimtarinë e tij Jeronim de Rada (1814-1903) nga fshati Makje i Kalabrisë, i cili u bë një nga figurat më të shquara të letërsisë arbëreshe dhe të lëvizjes patriotike shqiptare. Qysh në veprën e tij të parë, poema “Këngët e Milosaos” (1836), shkruar në dialektin arbëresh, De Rada i dha letërsisë shqipe një nga veprat e saj më të bukura. Duke trajtuar edhe më tej tema historike, nga luftërat shqiptaro-turke të shek. XV, si p.sh., në poemën “Serafina Topia” (1843), poeti, i frymëzuar nga kryengritjet shqiptare, si dhe nga lëvizjet çlirimtare që zienin në Itali, në të cilat mori pjesë vetë, vinte në dukje traditat luftarake e liridashëse të popullit shqiptar. Me këto vepra ai u bënte të njohur bashkatdhetarëve dhe nëpërmjet përkthimit italisht gjithë botës historinë e lavdishme të popullit shqiptar. Me këtë intelektualët arbëreshë filluan të sendërtonin atë që e quajtën si detyrë të madhe ndaj mëmëdheut të tyre të lashtë: “të ringjallnin përpara opinionit publik ndjenjat e një kombi të lavdishëm, por të panjohur”, siç shkruante më 1847 në parathënien e veprës së vet “Mbi shqiptarët, kërkime dhe mendime”, studiuesi arbëresh Vinçenc Dorsa. Ai ia kushtonte veprën e vet “kombit të tij të përndarë e të përçarë, por një”. Me këtë Vinçenc Dorsa donte të theksonte se kolonitë arbëreshe e ndienin veten si “pjesë të pandara të një të tëre, të kombit shqiptar”.
Me gjithë kushtet e vështira, ndërmjet vatrave të veçanta të lëvizjes politike e kulturore shqiptare filluan të krijoheshin që herët lidhjet e para. Në vitin 1845 Naum Veqilharxhi dhe shqiptarët e tjerë të Bukureshtit e përgëzonin Jeronim de Radën me një letër për punimin e tij “Mbi hyjnitë e pellazgëve”, të botuar më 1843 në të cilën poeti përpiqej të shpjegonte se një varg emrash të mitologjisë greke në të vërtetë ishin shqip, sepse shpjegoheshin, sipas tij, me anë të shqipes së sotme dhe se pellazgët i kishin dhënë hua kulturës së lashtë greke një varg elementesh. Mendime të ngjashme në lidhje me prejardhjen pellazgjike të gjuhës shqipe të popullit shqiptar shfaqën edhe një varg albanologësh të huaj.
Këto mendime të De Radës dhe të albanologëve në lidhje me teorinë pellazgjike u përqafuan nga Naum Veqilharxhi dhe atdhetarë të tjerë shqiptarë. Ato luajtën një rol për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve dhe u përdorën për të vërtetuar autoktoninë e popullit shqiptar në trojet e veta dhe për të shtruar përpara opinionit ndërkombëtar njohjen e të drejtave të shqiptarëve si komb më vete.
Intelektualët arbëreshë ndiqnin me vëmendje ngjarjet që po zhvilloheshin në vitet 30-40 të shek. XIX në Shqipëri. Veprat e tyre jo vetëm u bënin jehonë këtyre ngjarjeve, por edhe, duke evokuar të kaluarën, ngrinin probleme të rëndësishme, si ato të luftës së armatosur për liri, të bashkimit të popullit shqiptar etj. Duke vënë në dukje rëndësinë e kryengritjeve që po ndodhnin në mëmëdheun e tyre të lashtë dhe duke i interpretuar ato si shenja të një kthese Vinçenc Dorsa i përshëndeste “këto kërcënime të vazhdueshme, inkursione, rebelime, mosbindje ndaj ligjeve, bashkimin e shpejtë nën flamurin e një kryetari dhe tërheqjen e vëmendjes që i bëjnë Portës së Lartë”. “Në këto fakte, unë lexoj, - vazhdonte ai, - përgatitjen e furtunës së afërme dhe agimin e ditës së kthjellët që do të vijë pas saj”. Dhe më poshtë: “Shqipëria beson se kjo ditë (e rilindjes së saj - shën. i aut.) është e afërme dhe besimi i vë asaj në lëvizje shpirtin për ta arritur. Ajo nuk flet veçse për rilindje...”.

Jashtë Linjë valmoo

  • V.I.P ne Nastradini.com
  • *****
  • Postime: 4651
  • Popullariteti: 37
  • ..
LËVIZJA KOMBËTARE SHQIPTARE NË VITET 30-70 (VAZHDIMI)
« Pergjigju #2 Me: Korrik 16, 2008, 02:36:19 PD »
4. KUNDËRSHTIMI I PLANEVE EKSPANSIONISTE TË SHTETEVE FQINJE. SHQIPËRIA DHE KRIZA LINDORE E VITEVE 1853-1856

“Megali Idea” greke dhe “Naçertania” serbe
Kryengritjet për autonomi të viteve 30-40, si pjesë përbërëse dhe element aktiv i lëvizjes çlirimtare në Ballkan, e dobësuan sundimin e Portës së Lartë dhe krijuan kushte objektive për bashkëpunimin ushtarak të popujve të shtypur të gadishullit dhe për shpejtimin e çlirimit të tyre nga zgjedha osmane. Por ky bashkëpunim u minua nga politika ekspansioniste e Greqisë dhe e Serbisë.
Në vitet 40 shteti serb dhe ai grek nuk e kishin përfunduar ende bashkimin e tyre kombëtar. Një pjesë e territoreve me popullsi serbe e greke ndodhej ende nën sundimin osman. Për këtë arsye, një nga drejtimet e politikës së këtyre vendeve ishte ai i çlirimit të territoreve dhe i bashkimit të tyre me shtetet kombëtare përkatëse. Por, krahas këtij synimi të drejtë, të qeveritë greke e serbe që drejtonin këto shtete ishin shfaqur prirje të frymëzuara nga ide shoviniste, të cilat u zhvilluan e u shndërruan në një vijë themelore të politikës së tyre.
Në fillim të vitit 1844 kryeministri grek J. Koleti e formuloi dhe e shpalli zyrtarisht programin politik ekspansionist, i cili hyri në histori me emrin “Megali Idea” (“Megali Idhea” - “Ideja e Madhe”). Sipas këtij programi, Greqia si trashëgimtare e Bizantit duhej të shndërrohej në një shtet të madh me kryeqytet Stambollin (Konstandinopojën), ku do të bënin pjesë jo vetëm tokat greke, por edhe të gjitha territoret me popullsi ortodokse jogreke të Ballkanit, që kishin qenë nën Perandorinë Bizantine dhe vareshin fetarisht nga Patrikana e Stambollit. “Megali Idea” përfshinte në kufijtë e Greqisë së Madhe edhe tokat shqiptare. Me këtë projekt, në veri në fillim përfshihej në kufijtë e Greqisë gjithë Shqipëria, kurse pas viteve 60 caktohej si kufi verior herë lumi Drin, herë Shkumbini, ndërsa shovinistët më të moderuar grekë e çonin atë deri të lumi Vjosë.
Për realizimin e kësaj platforme qeveria greke parashikonte të hidhte në Shqipërinë e Jugut çeta të armatosura, të cilat do të provokonin kryengritje dhe do të përgatisnin truallin për aneksimin e këtyre territoreve nga Greqia. Ajo u orvat të shfrytëzonte për qëllimet e saj edhe kryengritjet shqiptare, sidomos ato të Shqipërisë së Jugut, siç ishte ajo e vitit 1847, kur kryeministri grek J. Koletis hyri në bisedime me Zenel Gjolekën, të cilat, për shkak të synimeve ekspansioniste të Athinës, dështuan.
“Megali Idea” greke gjeti një mbështetje të fuqishme të Patrikana ortodokse e Stambollit. Me formimin e shtetit grek, Patrikana e humbi dora-dorës karakterin ekumenik që kishte më parë dhe u kthye në një kishë greke, në një aleate e Greqisë. Kështu që kisha ortodokse dhe shkollat në gjuhën greke u kthyen në vatra për të helenizuar besnikët e nxënësit që i frekuentonin ato.
Po atë vit, më 1844, ministri i Serbisë I. Garashanin shpalli programin që do të vihej në themel të politikës serbe e që është i njohur në histori me emrin “Naçertanie” (“Projekt”). Edhe qarqet politike drejtuese të Serbisë, ashtu si ato të Greqisë, me pretekstin e çlirimit të tokave të sllavëve të jugut nga zgjedha osmane, synonin të krijonin një shtet të madh, që do të përtërinte perandorinë mesjetare të Stefan Dushanit. Në kufijtë e kësaj perandorie të re, sipas “Naçertanies”, do të hynin edhe viset e Shqipërisë së Veriut së bashku me Kosovën, që ministri serb e pagëzoi me emrin “Serbi e Vjetër”.
Të dyja programet kishin karakter shovinist dhe shprehnin aspiratat ekspansioniste të borgjezisë greke e serbe. Ato nuk e njihnin ekzistencën e kombit e të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe si pasojë kundërshtonin idenë e krijimit të shtetit shqiptar. Sipas këtyre programeve, tokat shqiptare ishin të destinuara të ndaheshin midis Greqisë dhe Serbisë.
Këto synime të shteteve fqinje, që ishin shfaqur edhe më parë, u shndërruan prej viteve 40 të shek. XIX në një politikë të përhershme zyrtare, pasojat e së cilës u ndien shumë shpejt në Shqipëri.

Jashtë Linjë valmoo

  • V.I.P ne Nastradini.com
  • *****
  • Postime: 4651
  • Popullariteti: 37
  • ..
LËVIZJA KOMBËTARE SHQIPTARE NË VITET 30-70 (VAZHDIMI)
« Pergjigju #3 Me: Korrik 16, 2008, 02:37:14 PD »
Lufta kundër “turkomanizmit” dhe “grekomanizmit”
Duke filluar prej viteve 50 Lëvizja Kombëtare Shqiptare bëri një luftë gjithnjë e më të ashpër kundër ideologjisë së panislamizmit, të propaganduar nga Porta e Lartë, dhe të panhelenizmit, të përhapur nga qarqet shoviniste të Athinës.
Qeveria e Stambollit ua mohonte kombësinë shtetasve myslimanë joturq të Perandorisë, të cilët i quante osmanllinj dhe ndiqte me këmbëngulje parimin, sipas të cilit Perandoria teokratike Osmane duhej të mbështetej mbi gjithë shtetasit myslimanë pa dallim.
Me qëllim që të përforconin pozitat e tyre në Shqipëri, të rrezikuara nga kryengritjet e vazhdueshme shqiptare dhe nga lëvizja e përgjithshme kryengritëse e popujve të tjerë ballkanas dhe për t’i lidhur sa më ngushtë masat e prapambetura të popullsisë myslimane shqiptare me fatet e Perandorisë, qeveritarët e Stambollit filluan të zhvillonin një fushatë me parulla panislamike për të nxitur fanatizmin e përçarjen fetare midis shqiptarëve. Ata dërguan në Shqipëri për këtë qëllim edhe klerikë myslimanë nga Anadolli e nga vende të tjera lindore. Këtij qëllimi i shërbenin edhe shkollat shtetërore turke që po ngriheshin në vitet 50-60 në Shqipëri, të cilat, edhe pse quheshin formalisht shkolla laike, pjesën më të madhe të programit e kishin me lëndë fetare islamike.
Kundërshtimi që i bënte Porta lëvizjes shqiptare gjente mbështetje të disa shtresa të caktuara të shoqërisë shqiptare, të “turkomanët”. Këta përbëheshin, në radhë të parë, nga elementët fanatikë të klerit mysliman shqiptar, si dhe nga një pjesë e feudalëve të vendit, të cilët pozitën e privilegjuar që kishin si funksionarë fetarë ose shtetërorë ia detyronin sulltanit dhe prandaj ishin të interesuar të mos prisheshin e as të prekeshin lidhjet me të. Ndër turkomanët bënin pjesë edhe disa elementë të borgjezisë së pasur qytetare, të cilët, jo vetëm nën ndikimin e parullave fetare islamike, por edhe si sipërmarrës shtetërorë e pjesëmarrës në spekulime të përbashkëta me funksionarët e Perandorisë, kishin interes të ruanin gjendjen ekzistuese, që u siguronte atyre një varg fitimesh. Qarqet e turkomanëve përpiqeshin të shfrytëzonin për qëllimet e tyre prapambetjen arsimore e kulturore të shtresave të gjera të popullsisë shqiptare, ndjenjat e tyre të natyrshme fetare islame dhe sidomos ndikimin mbi to të sulltanit si Kalif.
Kundërshtim të ashpër gjeti Lëvizja Kombëtare Shqiptare, si edhe ajo e disa popujve të tjerë ballkanas, edhe nga prirjet shoviniste të disa qarqeve të borgjezisë greke, që propagandonin “panhelenizmin” si armë ideologjike për të përgatitur realizimin e planit ekspansionist të “Idesë së Madhe”. Një rol të veçantë në këtë lëvizje luante edhe kleri i Patrikanës greke të Stambollit. Ideologjia panheleniste u mbështet edhe nga disa shtresa të caktuara të shoqërisë shqiptare, nga “grekomanët”, siç u quajtën përfaqësuesit e këtij orientimi, që vinin në radhë të parë nga një pjesë e tregtarëve ortodoksë të Shqipërisë së Jugut, që kishin lidhje me tregjet e Selanikut, të Korfuzit etj.
Dobësia e borgjezisë shqiptare si klasë e re dhe ndikimi i parullave fetare të përhapura me anë të kishës e të shkollave greke u bënë shkak që “grekomanët” të shihnin të borgjezia greke, e cila kishte krijuar shtetin e vet kombëtar, të vetmen mbështetje për t’u çliruar nga zgjedha osmane.
Protagonistët e “Idesë së Madhe” në Shqipëri u përpoqën të shfrytëzonin për qëllimet e tyre edhe dasitë fetare midis borgjezisë e fshatarësisë së krishtere shqiptare dhe bejlerëve çifligarë të vendit, që në shumicën dërrmuese ishin myslimanë, si edhe nevojën e madhe për arsim që kishte popullsia shqiptare, nevojë e cila, për mungesë shkollash në gjuhën shqipe, nuk kishte mundësi të plotësohej atëherë veçse në shkolla greqisht.
Duke luftuar kundër këtyre rrymave mendimtarët rilindës përpunuan platformën e vet, që u bë baza e veprimit të mëtejshëm politik-kulturor të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Të nisur nga fakti se në bazë kriteresh objektive populli shqiptar, me gjithë ndarjen fetare, përbënte një komb më vete dhe si i tillë kishte një rrugë të veçantë të formimit historik që e shpinte në mëvetësinë e tij kulturore e politike, ideologët e lëvizjes kombëtare e drejtuan propagandën e tyre kundër përpjekjeve të “panislamistëve”dhe “panhelenistëve” për të bërë për vete politikisht, sipas parimit fetar, pjesë të veçanta të popullit shqiptar.
Një luftë të posaçme bënë ata, ndër të tjera, kundër tezave politike të panhelenistëve, që, duke i mbështetur synimet e tyre në teorinë pellazgjike, propagandonin se shqiptarët dhe grekët kishin origjinë të përbashkët, ishin pasardhës të pellazgëve nga gjuha e nga prejardhja dhe si rrjedhim ishin vëllezër, e arrinin kështu në përfundimin se shqiptarët duhej të shkriheshin jo vetëm nga pikëpamja kulturore, por edhe politikisht në gjirin e “helenizmit”.
Megjithatë, vështirësitë e krijuara nga një propagandë e tillë armiqësore ndaj kombit shqiptar, nuk i penguan Naum Veqilharxhin dhe aktivistët e tjerë të çështjes kombëtare të vijonin rrugën e nisur. Naum Veqilharxhi iu drejtua pasanikëve shqiptarë në Rumani, Vangjel Zhapës nga Labova e Lunxhërisë (Gjirokastër) dhe Apostol Arsaqit nga Hotova e Përmetit, të njohur si dhurues shumash të mëdha për qëllime mirëbërëse në Greqi, që të jepnin përkrahjen e tyre për të shtypur libra shkollorë në gjuhën amtare, të hartuar prej tij dhe për të hapur shkolla shqipe. Por Vangjel Zhapa doli kundër orientimit të pavarur të veprimtarisë arsimore shqiptare.
Kur po zhvillonte një veprimtari të dendur për çështjen shqiptare, Naum Veqilharxhi vdiq (në vitin 1854). Si fajtor për vdekjen e tij shqiptarët akuzuan në radhë të parë Patrikanën e Stambollit, e cila, për të ruajtur “unitetin” e fesë së krishterë që gjoja ishte vënë në rrezik nga veprimtaria e Naum Veqilharxhit, kishte nxitur Portën për të marrë masa kundër tij. Rrugën e veprimtarit të palodhur e vijuan shumë dishepuj, midis të cilëve edhe Thimi Mitkoja nga Korça.
Një rrugë të veçantë filluan të ndiqnin në këto vite disa intelektualë ortodoksë nga Shqipëria e Jugut e në radhë të parë Anastas Byku nga Lekli i Tepelenës (veproi në vitet 1859-1878). Duke u nisur nga bindja se pa përparim kulturor, pa lëvrimin e mësimin e gjuhës amtare populli shqiptar nuk do të kishte mundësi të zinte vendin që i përkiste midis popujve të tjerë, Anastas Byku botoi në vitet 1861-1862 në Lamia të Greqisë gazetën greqisht-shqip “Pellasgos”, kushtuar çështjes shqiptare. Të njëjtit qëllim i shërbente edhe abetarja e vogël me titull “Gramë për shqiptarët” (1861), në të cilën përdorej alfabeti greqisht për shkrimin e shqipes. Më tej Anastas Byku punoi për ngritjen e një rrjeti të gjerë shkollash fillore e të mesme në gjuhën shqipe, për të cilat u përpoq të fitonte përkrahjen financiare edhe të Vangjel Zhapës. Por Anastas Byku, ndonëse ishte për ruajtjen e karakterit të veçantë të popullit shqiptar, u shpreh kundër zhvillimit të tij të pavarur dhe për përfshirjen e tij në gjirin e helenizmit. Rrugën e Anastas Bykut e ndoqi në fillim të veprimtarisë së vet edhe Jani Vretoja nga Postenani i Leskovikut (1822-1900), si dhe Eftim Brandi nga Korça (veproi në vitet 1860-1880).
Mendimi i Anastas Bykut, i cili e vinte lëvizjen shqiptare në vartësi të synimeve të qarqeve panheleniste, u kundërshtua nga veprimtarët e lëvizjes shqiptare, midis tyre nga Thimi Mitkoja. Lufta që zhvillonte Lëvizja Kombëtare Shqiptare në fronte të ndryshme dëshmonte për rritjen e saj ideologjike. Mendimi i rilindësve, i formuar qysh në këtë kohë, në lidhje me rrugën e veçantë historike të popullit shqiptar, u bënte jehonë kërkesave të kryengritjeve popullore kundërosmane për autonominë e Shqipërisë. Me forcimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare filluan të diferencoheshin edhe radhët e rretheve borgjeze “turkomane” e “grekomane”, një pjesë e anëtarëve të të cilave u bashkua me të.

Jashtë Linjë Nastradini

  • V.I.P ne Nastradini.com
  • *****
  • Postime: 2998
  • Popullariteti: 88
    • Komuniteti Nastradini.com
LËVIZJA KOMBËTARE SHQIPTARE NË VITET 30-70 (VAZHDIMI)
« Pergjigju #4 Me: Korrik 16, 2008, 03:29:11 PD »
Postime fantastike Valmoo  :)