Autori Tema: Lufta e Dyte Boterore  (Lexuar 3712 herë)

0 Anëtare dhe 1 Vizitor po shikojne kete teme.

Jashtë Linjë ★GOTIKA★

  • Lumiere Divine
  • Supreme Moderator
  • Senator ne Nastradini.com
  • ****
  • Postime: 37989
  • Popullariteti: 460
Lufta e Dyte Boterore
« Me: Janar 12, 2009, 09:02:56 MD »
Lufta e Dyte Boterore, A ia vlejti?
Revizionistët thonë se Lufta e Dytë Botërore ishte e panevojshme.
Gabohen
Unë vetë kam shkruar shumë artikuj kritikë në lidhje me kultin e Churchillit, si dhe për mënyrën jokritike që ai është duke përdorur për “t’u rënë me çomange” të pashtruarve....

Sa më shumë riekzaminohen dokumentet historike, aq më shumë e besueshme duket që të paktën dy burra shteti në perëndim e panë bashkëekzistencën me nazizmin si të padëshirueshme dhe të pamundur. Historia mund të gjykojë nëse ky qe objeksioni i duhur, por çdo përpjekje për të ndarë këto dy konsiderata me siguri “pjell” libra që “kundërmojnë”

Niall Ferguson, për shembull, ka propozuar që të shihen dy luftërat botërore si një konflikt i vetëm, i ndërprerë vetëm nga një armëpushim i gjatë dhe ogurzi. Historianët konservatorë britanikë si Ala Clark dhe John Charmley e kanë kritikuar Churchillin se ka ndërtuar karrierën e tij mbi luftën.

Christopher Hitchens

A ka ndonjë parim të përbashkët, apo supozim mbi të cilin ngrihet konsensusi ynë politik, ndonjë gjykim me vlera për të cilin të gjithë kemi rënë thellësisht dakord? Duke lënë mënjanë abstraksionet si një besim i përgjithshëm tek demokracia, çdokush do të gjente hapësirën më të gjerë të mirëkuptimit për idenë se Lufta e Dytë Botërore ishte një “luftë e mirë” dhe një që ia vlejti të luftohej. Dhe nëse ne kemi një imazh të pashlyeshëm të imoralitetit dhe poshtërsisë politike, ky është me sigurisht tak-tak-taku i çadrës së Neville Chamberlainit, kur ky u kthye pas i kish refuzuar dorëzimin e çekëve Adolf Hitlerit në Mynih. Me anë të këtij poshtërimi ai shpresoi se do të shmangte luftën, por ai ishte i destinuar t’u sillte bashkatdhetarëve luftë mbi poshtërimin. Diturisë tradicionale i duhet shtuar figura titanike e Uinston Churchillit, si emblemë e sfidës oratorike që, deri kur do të mobilizohej dhe zbatohej fuqia amerikane, i vetëm u bëri ballë forcave të së keqes. Kur këto forca më së fundi u mposhtën, vepra e kobshme e duarve të tyre u zbulua përpara botës, e cila gabimisht kish menduar se “ishte mbushur deri në grykë” me horrore. Provat tronditëse të zgjidhjes përfundimtare nuk kanë mjaftuar asnjëherë për të larguar shumicën e dyshimeve mbi le të themi mençurinë apo moralin e bombardimit të qyteteve gjermane.

Megjithëkëtë, studiuesit historikë kanë ofruar lloje të ndryshëm interpretimesh revizionistë sa i përket kësaj. Niall Ferguson, për shembull, ka propozuar që të shihen dy luftërat botërore si një konflikt i vetëm, i ndërprerë vetëm nga një armëpushim i gjatë dhe ogurzi. Historianët konservatorë britanikë si Ala Clark dhe John Charmley e kanë kritikuar Churchillin se ka ndërtuar karrierën e tij mbi luftën, se kish injoruar hapjen ndaj paqes dhe se kishte lejuar perandorinë britanike që të prishej. Por Pat Buchanan, dy herë kandidat për zgjedhjet presidenciale në Amerikë në 2000-in, përfaqësuesi standard i Partisë Reformatore, që nxit të paharrueshmen radhë njerëzish në votimet në Florida tashmë i ka përmbledhur të gjithë në një nga argumentet antiluftë. Ideja e tij e hedhur në librin e fundit “Churchili, Hitleri dhe lufta e panevojshme” është si vijon:

• Që Gjermania kish ndeshur në rrethim dhe padrejtësi si në 1914-n, ashtu edhe në 1939-n.

• Britania në të dy këta vite duhej të kish qëndruar larg sherreve të Evropës kontinentale.

• Që në të dy rastet, Uinston Churchill ishte luftënxitësi kryesor britanik.

• Shtetet e Bashkuara u përfshinë pa qenë nevoja në luftë në të dy rastet

• Përfituesit kryesorë të gjithë kësaj ishin Stalini dhe Mao

• Holokausti i hebrenjve evropianë ishte po aq një pasojë e një lufte të evitueshme, sa ishte edhe pasojë e nazizmit.


Buchanan nuk ka nevojë ta mbyllë librin e tij me një thirrje të një Perëndimi në shuarje, sikur të përmblidhte këtë recital të gjatë apokalipsi Spenglerian. Ai tashmë e kish hapur librin me deklaratën: “Kudo përreth nesh ne mund të shohim qartë tani se Perëndimi po vdes”. Figurat e përdorura janë të njohura, një mungesë besimi dhe vullneti, një rënie e dëshirës për të riprodhuar me energji të mjaftueshme, një preferencë për hedonizëm përpara sundimi, dominimit dhe epërsisë. Çuditërish, të gjithë këto tingëllojnë... Churchilliane. Vetë luani i vjetër asnjëherë nuk u lodh duke mbajtur kësi shënimesh, dhe nuk ishte aspak në siklet prej përmendjes së racës dhe kombit, apo gjakut. E megjithatë, ai është objekt i mospëlqimit dhe pakënaqësisë së Buchanan, për arsye se ishte i joshur prej “luftërave të zgjedhura”.

Ky term ka hyrë në modë së fundmi, për shkak të kundërshtimit të luftës në Irak, një opozitë ku Buchanan ka luajtur një rol të madh. Si një pasardhës i traditës së lëvizjes Amerika e Para të Charles Lindbergh, e cila hidhte një lloj lobi kozmopolitan pas gatishmërisë së Ruzveltit për të përfshirë Shtetet e Bashkuara në luftën globale, Buchanan është kritiku më i mprehtë i atij që e konsideron iluzioni ynë kombëtar më i ledhatuar, dhe libri i tij ka ndjesinë dhe vulën e një vepre që ai vetë e ka lexuar gjatë gjithë jetës së tij.

Por, ai ndesh në një, apo disa vështirësi të pakapërcyeshme. Nëse do të demonstrosh se Gjermania ishte më shumë viktimë se sa agresor në 1914-n, atëherë duhet ta kufizosh rrëfimin (siç bën Buchanan) në çështjen shumë minore të neutralitetit bel, si dhe pikëpyetjes nëse Britania duhej absolutisht të shkonte në luftë në krahun e belgëve. Por pjesa tjetër e politikës së kajzerit, pjesa më e madhe e të cilës fshihet nga Buchanan, tregon se Gjermania po kërkonte një shans për luftë në të gjithë globin, dhe ishte gjithnjë e më shumë i burgosur i një kaste sunduese ushtarake në vend. Kajzeri nisi një luftë me Britaninë duke mbështetur rebelët holandezë të bardhë të Afrikës në Afrikën e Jugut, si dhe duke vrarë popullin Ovambo në atë që sot është Namibia. Ai kërkoi telashe me francezët duke dërguar krejt papritur anije lufte në Agadir, në Marokun francez, gjë e cila pothuajse nisi lutën e parë në 1905-n, si dhe me Rusinë duke mbështetur ultimatumin e marrë të Austro-Hungarisë ndaj serbëve, pas vrasjeve të qershorit 1914 në Sarajevë. Veç kësaj, fakt që Buchanan nuk e përmend fare, kajzeri vizitoi Damaskun dhe pagoi për rindërtimin e varrit të Saladinit u vetëshpall një simpatizues i Islamit dhe mik i xhihadit, doli garant për një hekurudhë nga Berlini në Bagdad për transportimin e armëve gjermane në Lindjen e Mesme e Azi, si dhe përgjithësisht u vendos në anën e një imperializmi otoman agresiv, që më vonë shpalli një “luftë të shenjtë” kundër Britanisë. Të thuash se ai u ndie i kufizua nga dominimi i Marinës Mbretërore në Detin e Veriut, ndërkohë që bënte të tilla gjëra, është absurde.

Dhe ndoshta pak më keq se sa absurde, si për shembull kur Buchanan shkruan: “Nga 1871-i deri në 1914-n, gjermanët nën Bismarkun dhe Kajzerin nuk luftuan as edhe një luftë të vetme. Ndërkohë që Britania, Rusia, Italia, Turqia, Spanja, Japonia dhe SHBA-ja u përfshinë të gjitha në luftëra, Gjermania dhe Austria kishin një të kaluar të pastër”. Më duhet ta them që këto i konsideroj broçkulla. Fillimi i “të kaluarës së pastër” duhet të jetë në 1871-i, pasi aty Prusia përuli Francën në të tmerrshmen Luftë Franko-Prusiane, ku në fakt Gjermania aneksoi dy provinca franceze. Në ndërkohën deri në 1914-n, Gjermania po pushtonte koloni në Afrikë dhe në Paqësor, duke çimentuar aleanca të fshehta me Austrinë dhe duke u përpjekur të ndërtonte një flotë detare që do të mundte atë britanike. Ka dyshim që kajzeri kish nevojë për hapësirë për të marrë frymë.

Nuk dua të them që Buchanan ka të drejtë në disa gjëra kur flet për diplomacinë e fshehtë në Evropën e Vjetër, që aq shumë e ofendonin Udrou Uilsonin. Dhe ai është i jashtëzakonshëm kur flet për Traktatin katastrofik të Versajës, i cili pati sukses vetë në, si do të thoshte në atë kohë John Keynesi, krijimin e kushteve për një tjetër luftë, apo për pjesën e dytë të luftës së parë. Ai flet me krenari për izolimin: “Senati nuk ka patur asnjë ditë pune më të mirë se sa kur hodhi poshtë Traktatin e Versajës dhe refuzoi të hynte në një Lidhje Kombesh ku ushtarët amerikanë do të kërkoheshin të jepnin jetën, për të përforcuar termat e në paqeje kaq të pandershme dhe katastrofike”.

Në fakt, asnjë ushtar i asnjë kombi nuk ka humbur as edhe një qime në shërbim të Lidhjes, e cila në çdo rast ishte e destinuar të dështonte nga abstenimi amerikan, dhe është pikërisht kjo konsideratë që bën të vlefshëm argumentin e dytë të Buchanan, sipas të cilit një konflikt me Gjermaninë e Hitlerit mund dhe duhej parandaluar. (Ekziston një nënargument i tretë i Buchanan, kryesisht i lënë të kuptohet, sipas të cilit perëndimi demokratik duhej të ishte bërë aleat me Hitlerin, të paktën pasivisht, deri kur ky të kish shkatërruar Bashkimin Sovjetik). Edhe një herë, që të besojë tezën e tij, çdokush duhet të jetë i përgatitur të argumentojë se Hitleri ishte një aktor racional, me kërkesa të kuptueshme dhe të negociueshme, ambiciet e të cilit të shpallura tek “Mein Kampf” duhej të injoroheshin si thjeshtë propagandë. Rast pas rasti, Buchanan tregon djallosjen e skajshme të diplomacisë britanike dhe franceze, dhënia e premtimeve Çekosllovakisë që nuk do të mbaheshin asnjëherë dhe më pas, thyerja e këtyre premtimeve që në rastin më të parë. Apo ofrimi i një garancie Polonisë (një vend që kish marrë pjesë me dëshirë në copëtimin e Çekosllovakisë), që Hitleri e dinte shumë mirë se nuk mbështetej nga asnjë forcë e besueshme ushtarake. Këtu Buchanan jep më të mirën e tij, shpesh herë nuk është e të detyruar të habitesh pa masë nga cinizmi i dukshëm dhe budallallëku i konservatorëve britanikë. Në marrëveshjen detare anglo-gjermane të 1935-s për shembull, ata habitën francezët, italianët dhe rusët duke rënë dakord në mënyrë të njëanshme që të lejonin Hitlerin të ndërtonte një flotë me madhësi sa një e treta e Marinës Mbretërore si dhe një flotë nëndetësesh me të njëjtën madhësi si e britanikëve! Jo vetëm ishte kjo një mënyrë për t’u dorëzuar gjermanëve një armë që më vonë do t’ia vinin në fyt Britanisë, por edhe po bindte aleatët potencialë të Britanisë se do të ishte më mirë që të bënin marrëveshje dypalëshe me Berlinin. Gjë që praktikisht ndodhi.

Por Buchanan vazhdon të harrojë se ky budallallëk kriminal është pikërisht ajo lloj politikë që ai rekomandon diku tjetër. Në fund të fundit, në këndvështrimin e tij, Gjermania kish pësuar një padrejtësi nga Versaja dhe do të kish qenë korrekte të ribëheshin kufijtë në favor të Gjermanisë si dhe të zbuteshin ndjenjat e saj të lënduara. Ndërkohë, ne duhej të kishim inkurajuar armiqësinë e Hitlerit ndaj bolshevizmit dhe në fshehtësi duhej të armatoseshim, në rast se edhe ai do të duhej të frenohej.

Kjo ndoshta do të kish funksionuar nëse Gjermania do të qeverisej nga një parti nacionaliste e djathtë që kish fituar me votë demokratike. Fakti është që Gjermania qeverisej nga një maniak paranojak, ultra i djathtë, vrastar që kish nisur të shkatërronte demokracinë brenda vetë Gjermanisë, që besonte se bashkatdhetarët e tij ishin një racë superiore dhe që për të gjithë të këqijat e botës fajësonte komplotin e hebrenjve. Është e mundur të lexosh kapituj të tërë në librin e Buchanan pa dashur të kesh në ëndje këto pika. Ashtu si dhe me diskutimin e Gjermanisë së para 1914-s, ai kryen mëkate të rëndësishme harrese që mund të jenë vetëm rezultat i një anësie ideologjike. Krejt shkarazi përmendet Lufta Civile në Spanjë, për shembull, ku për plot tre vjet ndërmjet 1936-s dhe 1939-s, Gjermania dhe Italia dhanë hua trupa për pushtimin fashist të një shteti sovran evropian që asnjëherë nuk i kish kërcënuar apo rrethuar.

Në të vetmin rast kur Spanja përmendet seriozisht, ai ilustron pikërisht idenë e kundërt të asaj që Buchanan mendon se po nxjerr në pah. Ambasadori britanik në Berlin, Sir Neville Henderson shpjegon përse Hitleri nuk besonte se Britania dhe Franca do të luftonin për Pragën: “Hitleri argumentonte kështu: A do të shkonte kombi gjerman me dëshirë në luftë për Gjeneralin Franko në Spanjë, sikur Franca të kish ndërhyrë në anën e Qeverisë republikane? Përgjigja që ai i dha vetvetes ishte se nuk do ta bënte dhe kështu më pas ai u bind se asnjë qeveri demokratike franceze nuk do të ishte e fortë sa duhet për të çuar kombin francez në një luftë për cekët”.

Në këtë rast, duhet pranuar se Hitleri po sillej si një aktor racional. Dhe pranimi i tij, që Buchanan me nxitimin e tij për të akuzuar politikën anglo-franceze nuk arrin fare ta vërejë, është se edhe në qoftë ndaj atij vetë do të kish patur rezistencë më herët, dhe më vendosmërish, edhe ai do të kish lëshuar terren. Pra, i gjithë leksioni që nxirret nuk është se Lufta e Dytë Botërore ishte një luftë zgjedhjeje krejt e evitueshme. Është se nazistët mundet dhe duhej të ishin konfrontuar shumë më herët se sa të riarmatoseshin plotësisht dhe të fillonin të vidhnin fabrika, burime nafte, miniera qymyri dhe punëtorë nga vendet fqinjë. Siç ka thënë një herë gjenerali Douglas McArthur, të gjithë humbjet ushtarake mund të përmblidhen me dy fjalë: “Shumë vonë”! E njëjta gjë është e vërtetë edhe për fatkeqësitë politike.

Buchanan nis e i zbulon gjithnjë e më shumë ngjyrat e vërteta me kalimin e fletëve. Është një gjë të mbështetësh idenë se Gjermania ishte keqpërdorur dhe minoritet gjermane ishin keqtrajtuar, si pasoj e një lufte të 1914-s në të cilën vetë perandori gjerman kish qenë një prej nxitësve. Është gjë krejt tjetër të thuash se vendimi i nazistëve për të nisur Holokaustin e hebrenjve evropianë nuk “ishte një pasojë e luftës, por një pasojë e tmerrshme e luftës”. Buchanan jo vetëm pretendon se racizmi fanatik i Hitlerit nuk i rriti së tepërmi gjasat për luftë, por ai bën gjithashtu edhe një insinuatë se ata që dëshironin t’i rezistonin janë po aq përgjegjës në mos më shumë për vrasjen e hebrenjve! Kjo absolutisht nuk mund të pranohet. Ai sjell në vëmendje thënie të shumta të Hitlerit dhe Gëbelsit, që fillojnë vetëm në 1939-n dhe mbarojnë në 1942-n, ku bërtasin se çdo lloj shpërthimi në luftë për t’iu kundërvënë ambicieve të nazistëve do të shkaktonte hakmarrje mbi hebrenjtë. Ai harron, të paktën shpresoj se është thjeshtë harresë, se deklarata të tilla vrasëse nisën shumë kohë më parë, madje përpara se Hitleri të kish qenë një kandidat lunatik në vitet njëzetë. Origjina shkon prapa në kohë deri në datat e përzgjedhura aq kujdesshëm nga Buchanan, i cili është përpjekur ta bëjë imperializmin prusian të duket si viktimë.

Një shembull përmbyllës ilustron çoroditjen dhe paragjykimin e “metodës” historike të Buchanan. Ai argumenton në mënyrë të përsëritur se Churchilli nuk e vlerësoi Anglofilinë me rrënjë të thella të Adolf Hitlerit dhe ai vazhdimisht ua vë fajin për nisjen e luftës disa shanseve të humbura për të shtrënguar dorën e zgjatur plot mirësi të Fyhrerit. Në të vërtetë, ai citon disa burime akademike që bien dakord me të se Hitleri pushtoi Bashkimin Sovjetik, vetëm për t’i ndërruar mendjen Britanisë. Le të supozojmë se Buchanan ka të drejtë në këtë pikë. A mund të kemi një definicion më të mirë të çrregullimit dhe çoroditjes mendore si dhe megalomanisë, se sa rasti i një diktatori që injoron gjeneralët e tij dhe pushton Rusinë në mes të dimrit, vetëm e vetëm që t’i bëjë përshtypje Parlamentit britanik? (Aksidentalisht, ose jo aksidentalisht, ishte pikërisht ky agresion histerik që i dha shenjën start dëbimit të organizuar dhe vrasjes së hebrenjve. Por, është mendjelehtësi të mos supozojmë që, pa këtë ndodhi, nazistët nuk do të kishin gjetur një tjetër arsye).

Sigurisht, është e vërtetë se miliona të tjerë humbën jetët në këtë konflikt, shpesh herë në mënyra të tmerrshme e të paprecedenta, dhe se tirani të reja iu imponuan disa shteteve, Çekosllovakisë, Polonisë dhe Kinës, që kishin qenë pretekste për një luftë kundër fashizmit. Por a nuk do të thotë kjo të mendosh në terma afatshkurtër? Sikur nazistët të mos ishin mundur, miliona njerëz do të ishin masakruar apo skllavëruar në çdo rast. Ndërkohë që sot, nga Portugalia në Urale, parimi i të drejtave të njeriut dhe sovraniteti i popullit është të paktën normë, dhe idetë e racizmit dhe totalitarizmit janë diskredituar përfundimisht dhe historikisht. A do të kish sjellë ndonjë rezultat më të mirë një kompromis me totalitarizmin racist?

Uinston Churchill mund të ketë qenë në krahun e gabuar sa i përket Indisë, për sa i përket standardit të floririt, për të drejtat e punonjësve e të tjera, dhe ai mund të ketë patur një dëshirë për luftë, por nga ana tjetër ne duhet të jemi mirënjohës që në vitet tridhjetë ishte një politikan që e quajti të patolerueshme qoftë edhe thithjen e të njëjtit ajër, apo ndarjen e të njëjtit kontinent apo planet me nazistët. Ndërkohë që mbyll argumentin e tij, Buchanan refuzon sërish që të maskojë besnikërinë e tij. “Ndonëse të përqeshur si izolacionistë”, shkruan ai, “patriotët e Amerika e Para e mbajtën SHBA-në jashtë luftë deri gjashtë muaj pasi Hitleri kishte pushtuar Rusinë”. Nëse di qoftë edhe pak fakte për atë çfarë i ndodhi popullsisë së atyre territoreve në ata gjashtë muaj, është shumë e vështirë të krenohesh që Amerika qëndroi neutrale. Por ky është një çmim që Buchanan është i gatshëm ta paguajë.

 (“Adlai”, thoshte John F. Kennedy për ambasadorin e tij të jashtëzakonshëm në OKB, në periudhën e krizës së Gjirit të Derrave, “donte një Mynih”). Megjithatë, sa më shumë që rrëmohen dhe riekzaminohen dokumentet historike, aq më shumë e besueshme duket që të paktën dy burra shteti në perëndim, për arsye gjerësisht të ndryshme, e panë bashkëekzistencën me nazizmin si të padëshirueshme dhe të pamundur. Historia mund të gjykojë nëse kjo mungesë dëshire apo pamundësi ishte kundërshtimi më i spikatur, por çdo përpjekje për të ndarë këto dy konsiderata me siguri “pjell” libra që “kundërmojnë”. 
 
« La beauté n'est pas dans le visage, la beauté est une lumière dans le cœur. »
Khalil Gibran!